Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më datë 27.11.2014, zhvilloi në qytetin e Kukësit sesione trajnimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më datë 27.11.2014, zhvilloi në qytetin e Kukësit sesione trajnimi jashtë periudhës zgjedhore për të gjithë të interesuarit,

ku u trajtuan njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor, ciklin zgjedhor, rolin e medias, si dhe për funksione të veçanta të administrimit të zgjedhjeve: ngritja, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e komisioneve zgjedhore te nivelit të dytë e të tretë (KZAZ, KQV, GNV), etj.

Sesionet e trajnimit, u zhvilluan në Sallën e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Kukës, dhe u ndoqën me interes nga nëpunës të administratës publike, mësues, ish komisionerë zgjedhorë, vëzhgues të zgjedhjeve të kaluara, përfaqësues të shoqërisë civile (OJF lokale), etj., të cilët ndanë me të pranishmit edhe raste të eksperiencave të shkuara zgjedhore, dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.Veprimtaria e KQZ-së në qytetin e Kukësit u përmbyll me zhvillimin e një sesioni edukues në bibliotekën e shkollës së mesme “Havzi Nela”, me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë.

Të rinjve pjesëmarrës, kryesisht maturantë, ju theksua rëndësia e pjesëmarrjes në zgjedhje, jo vetëm si ushtrim i së drejtës themelore kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, por edhe si detyrim qytetar, si dhe iu qartësuan procedurat korrekte të votimit nëpërmjet simulimit të një dite votimi në qendrën e votimit, ku vetë të rinjtë u angazhuan si “votues” apo “komisionerë”, si dhe procedurat që ndiqen kur voton zgjedhësi me aftësi të kufizuar.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE