Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  në bashkëpunim me Qendrën për Perspektivë Evropiane (CEP), do të organizojë seminarin “Forcimi i pavarësisë së organeve Menaxhimi Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra në mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Ky seminar, do të zhvillohet ditën e premte, datë 14.10.2016, në orën 10.00, në ambjentet e Tirana International Hotel,  në kuadër të projektit “Forcimi dhe Pavarësia e Trupave të Menaxhimit Zgjedhor –faza III”, mbështur nga Ministria e  Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Reforma zgjedhore në Shqipëri,  ecuria dhe pritshmëritë e saj do të trajtohen në dy panele me tema:  kompromisi politik për Reformën Zgjedhore dhe mënyrat për të forcuar pavarësinë e administratës zgjedhore.
Të ftuar në këtë seminar, punimet e të cilit do të moderohen nga Kryetarja e KQZ-së zj. Luzi,  janë ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve,përfaqësuesve të partive politike, si  edhe bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi dhe z. Taulant Balla.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta,  dhe Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stancic, do të përshëndesin hapjen e punimeve të këtij seminari, i cili vjen në kohën e duhur për të kontribuar në procesin e reformës zgjedhore në Shqipëri.