Fjala e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

E nderuar kryetare e Këshillit,

I nderuar nënkryetar,

Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve falenderoj Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian për ftesën për këtë proces diskutimi dhe informimi gjithëpërfshirës.

Tematika që prek veprimtarinë e KQZ-së është pjesë e rëndësishme e kapitullit për kriterin politik, sepse ka të bëjë me demokracinë dhe zgjedhjet. Në fakt, në raportin e Komisionit Europian të vitit 2019, kapitulli i demokracisë shfaqet si kapitulli i cili me leximin e tij lë vend për më shumë vemendje dhe reflektim. Shkaku për këtë është evidentuar nga vetë Komisioni, i cili nuk e ka fshehur konstatimin për “një polarizim të fortë të mjedisit politik”, me “bojkote të përsëritura të aktiviteteve parlamentare nga opozita, të cilat kulmuan me vendimin e partive kryesore opozitare për të lënë mandatet e tyre parlamentare en bloc”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për fat të keq, nuk është as i mbrojtur, as i imunizuar nga mjedisi dhe klima politike. Përbërja, procedurat, mënyra e funksionimit, marrëdhëniet brenda institucionale janë formuar në mënyrë të tillë (me ligj), që ai të ndjejë dhe të tronditet nga çdo oshilacion klimaterik i politikës.

Viti 2019 ishte prova më e qartë dhe më e pakundërshtueshme për këtë konstatim.

Këtë vit ne patëm zgjedhje për qeverisjen vendore, të debatuara, të kontestuara, të refuzuara, por rezultative. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një fenomen i panatyrshëm për mjedisin politik, një përjashtim nga normaliteti i gjërave.

Mjedisi politik nuk i përcolli ato si zgjedhje, si një ushtrim i mirëfilltë demokracie sovrane të popullit shqiptar, por i përcolli si një sherrnajë për gardhe e sinorë politikë, si një shembull kokëfortë pamaturie të vetë këtij mjedisi.

Zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan në të gjithë territorin, me dhe pa garë. Ato prodhuan rezultat dhe rezultati u njoh nga gjykatat kompetente shqiptare.

Zgjedhjet u monitoruan dhe vlerësuan nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it, raporti i të cilit sot është në dorën e gjithkujt, gati për tu lexuar dhe për të reflektuar mbi të.

Por ky bashkëbisedim nuk ka tematikë zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe as performancën e KQZ-së në këto zgjedhje. Ky bashkëbisedim ka në fokus kriterin politik dhe analizën e elementëve të tij. Ndaj unë, në respekt të tematikës së këtij takimi, do përpiqem të informoj për kriterin politik dhe bençmarket e tij, në këtë trimestër nga dalja e raportit, deri sot.

Financimi i partive politike

Raporti i Komisionit Evropian ka konstatuar nevojën për përmirësimin e transparencës dhe kontrollit të financimit të partive politike. Ky përmirësim lipset të jetë së pari përmirësim ligjor dhe, pas kësaj, administrativ. Përmirësimi ligjor është penguar nga polarizimi i mjedisit politik. Dy tentativa të njëpasnjëshme për reformën zgjedhore kanë ngecur në mes të rrugës dhe nuk kanë dhënë rezultatin e shpresuar. Ndryshimet e vitit 2017 në ligjin për partitë politike, patën një efekt pozitiv në rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies, por krijuan probleme, sa i përket harmonizimit të kuadrit ligjor dhe forcimit të sigurisë juridike.

Ndërkohë që Komisioni i Posaçëm  i Reformës Zgjedhore, i ngritur pas zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2017, nuk miratoi ndryshime për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, as në Kodin Zgjedhor dhe as në Ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”.

Pavarësisht nga kjo, KQZ-ja i adresoi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, brenda hapësirave dhe kompetencave që i njeh ligji.

Për zgjedhjet 2019, pas një pune të gjatë me mbështetjen e ekspertëve të NDI, Ambasadës Britanike dhe Këshillit të Europës,

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi 3 akte të rëndësishme nënligjore, gjë e cila u vlerësua pozitivisht edhe nga Misioni i OSBE-ODIHR.

Tre aktet:

  • “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”;
  • “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore;
  • “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”;

i shërbyen objektivit për rritjen dhe transparencën financiare të fushatave zgjedhore dhe synuan qasje të standartizuar nga KQZ në mbikëqyrje, efiçencë në kontroll dhe monitorim, si dhe angazhim pro aktiv të shoqërisë në monitorimin e ligjzbatimit.

Në zgjedhjet e 30 qershorit nuk raportuan vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie.

Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.

Për 36 parti politike të regjistruara në zgjedhje, KQZ emëroi 34 auditues ligjorë, të cilët kryen monitorimin dhe auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e organeve vendore.

Gjatë muajit të fushatës zgjedhore, 34 audiuesit ligjore lidhën kontrata shërbimi me KQZ-në dhe depozituan 4 raporte monitorimi të ndërmjetem të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.

Brenda datës 26 shtator partitë politike duhet të depozitojnë raportet financiare të fushatës zgjedhore së bashku me raportet financiare të kandidatëve për kryetar në organet e njësisë së qeverisjes vendore.

Brenda datës 26 nëntor audituesit ligjorë duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditimit financiar të partive politike.

Pas dorëzimit të raporteve, KQZ do të verifikojë dhe kontrollojë, respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor, ligjit “Për Partitë Politike” dhe aktet nënligjore për financimin e fushatës zgjedhore, duke:

  • krahasuar të dhënat me gjetjet dhe konkluzionet e raportit të auditimit të Fushatës Zgjedhore dhe raportit të monitorimit të Fushatës Zgjedhore;
  • kontrolluar procedurën e dokumentimit të dhurimeve (nëse dhuruesi ka nënshkruar deklaratën e kërkuar nga neni 90, pika 1 e Kodit Zgjedhor, i ndryshuar, limitin e vlerës së dhurimit si dhe nëse dhurimi i fondeve jopublike është në llogarinë e posaçme të hapur për këtë qëllim);
  • kontrolluar nëse fondet e përfituara dhe shpenzuara nga kandidatët për fushatën zgjedhore janë deklaruar në raportin e dorëzuar nga partia politike.
  • rillogaritur totalin e shpenzimeve të deklaruara të fushatës zgjedhore dhe duke e krahasuar atë me limitin e lejuar për subjektin zgjedhor

Në rast se KQZ, do të konstatojë shkelje të dispozitave ligjore dhe akteve normative të nxjerra nga KQZ, kur nuk përbën vepër penale, do të zbatojë sanksionet e parashikuara në nenin 172, nenin 173 të Kodit Zgjedhor, i ndryshuar dhe nenit 24/2, pika 7 të nenit 23/4 të ligjit nr. 8580/2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar.

KQZ, në vendosjen e sanksioneve bazohet në parimin e proporcionalitetit.

Dekriminalizimi

Në raportin e tij Komisioni Evropian konstatonte se nuk kishte çështje që kishin çuar në nisjen e procedurave të dekriminalizimit për periudhën e raportimit. Në harkun e tri muajve pas raportimit, KQZ-ja është marrë intensivisht me proceduat ligjore të kontrollit, sipas ligjit për dekriminalizimin.

Zgjedhjet janë ligjërisht edhe proces vetëdeklarimi edhe kontrolli institucional. Kur ka zgjedhje, kandidatët futen të gjithë në filtër.

Në zgjedhjet e 30 qershorit, KQZ-ja verifikoi dokumentacionin e kandidimit dhe formularët e vetëdeklarimit për rreth 103 kandidatë për kryetar bashkie dhe për të paktën 9994 kandidatë të këshillave bashkiakë.

Në përfundim të procesit të verifikimit u regjistruan si kandidatë 97 kandidatë për kryetar bashkie dhe 9872 kandidatët për këshillat bashkiake.

KQZ vendosi se ishin në kushtet e moszgjidhshmërisë një kandidat të mbështetur nga zgjedhësit për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe 15 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë.

Në përfundim të procesit të verifikimit, KQZ i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për verifikim të thelluar, 6 raste me funksion këshilltar në këshillat bashkiak, për shkak se në formularët e vetëdeklarimit ishin dhënë indicie për dënime/dëbime jashtë territorit të Shqipërisë.

Pas shpalljes se rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme 2 kryetar bashkie, për verifikim të thelluar, pas denoncimeve për dëbime/dënime jashtë shtetit. Njërit prej tyre i ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme për shkak të dorëheqjes.

Administrata Zgjedhore

Komisioni Evropian konstatonte në raport, se KQZ-ja nuk funksionon në përbërje të plotë, pasi nuk ishin zgjedhur ende dy anëtarë. Komisioni priste që dy anëtarët të zgjidheshin. Edhe këtu polarizimi i mjedisit politik ka marrë haraçin e radhës. Dy anëtarët ende mungojnë në KQZ.

Ky trimujor ka qenë periudhë aktiviteti intensiv për KQZ-në dhe mungesa e dy anëtarëve është ndjerë jo vetëm në veprimtarinë administrative, por është ndjerë, para së gjithash, në debatin profesional dhe në vendimmarrje, d.m.th. në ato komponentë që përcaktojnë kualitetin e punës së KQZ-së.

Të drejtat e minoriteteve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 prodhoi të gjithë materialet informuese/edukuese/ndërgjegjësuese edhe në gjuhët e pakicave etnike dhe kulturore, të njohura ligjërisht. KQZ-ja publikoi materiale në gjuhën greke, malazeze, maqedone, bullgare, serbe, boshnjake, arumune, roma dhe egjiptiane.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, të gjithë pikat e kalimit kufitar krahas fletëpalosjeve në gjuhën shqipe u shpërndanë edhe ato në gjuhë të pakicave. KZAZ-ve që ushtronin veprimtarinë në territore me vendbanim të pakicave kombëtare, iu shpërndanë fletëpalosje edhe në gjuhë të pakicave kombëtare përkatëse.

Për pakicat rome dhe egjiptiane, edukimin zgjedhor të të cilave KQZ e ka në fokus të punës në vijimësi, u realizua projekti i veçantë ”Vota ime vlen”, në bashkëpunimin me IRCA (Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri), mbështetur nga NDI.

Gjithashtu, KQZ në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Tiranë, realizoi në vendqëndrimet e komuniteteve rome dhe egjiptiane projektin informues dhe ndërgjegjësues për shit-blerjen e votës, pasojat individuale dhe shoqërore në rast të tjetërsimit të vullnetit përkundrejt ofrimit/dhënies së të hollave apo të mirave materiale.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it konstatoi në këto zgjedhje se nuk u vu re asnjë rast diskriminimi i drejtpërdrejtë kundrejt pakicave kombëtare përgjatë fushatës. Për më tepër, vezhguesit u bënë dëshmitarë të zhvillimit të aktiviteteve të fushatës në gjuhën e minoriteteve përkatëse, konkretisht në Pustec dhe Finiq, sikurse asistuan edhe në mbledhje të komisioneve të niveleve të dyta të zhvilluara në gjuhën e minoritetit.

Por misioni vëzhgues bëri dhe konstatime problematike. P.sh. Ai konstatoi se aktet zyrtare të administratës zgjedhore dalin vetëm në gjuhën shqipe, duke nënkuptuar një pritshmëri tjetër.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë njeh vetëm shqipen si gjuhë zyrtare. Të gjitha aktet zyrtare në Shqipëri dalin vetëm në gjuhën shqipe.

Gjithësesi, kjo është tryeza kompetente për ta shtruar këtë çështje dhe për të kërkuar zgjidhje. Nëse po projektohet një standard i ri, atëherë ligjvënësi duhet të orientojë punën tonë dhe të sigurojë mbështetjen e nevojshme njerëzore dhe logjistike për t’a përballuar atë.

Gjithashtu, misioni vëzhgues, teksa ka raportuar informacionin e KQZ-së për publikimet në gjuhët e pakicave, ka konstatuar, se vetë nuk i ka hasur materialet në gjuhën e pakicave, sikurse se nuk është vënë në dijeni për një gjë të tillë nga interlokutorët. Kjo do të thotë, se KQZ-ja ka ende shumë punë për të bërë për të promovuar sa dhe si duhet këtë arritje, e cila duhet thënë se është shembullore dhe se meriton mirënjohje.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar

Në respekt të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe në zbatim të përcaktimeve ligjore, KQZ pjesë të rëndësishme të fushatës së edukimit zgjedhor kishte edhe prodhimin e materialeve edukuese/sensibilizuese për personat me aftësi të kufizuara. Realizoi spot informues, edukues dhe sensibilizues dhe për personat me aftësi ndryshe, poster të veçantë me të gjithë informacionin e nevojshëm për zgjedhësit PAK, pajisi çdo Qendër Votimi me shabllon me alfabetin Braille për secilën fletë votimi, si dhe me dhomë të fshehtësisë për zgjedhësit me aftësi të kufizuara.

Gjithësesi, raporti vëzhgues i OSBE/ODIHR-it ishte tejet kritik në trajtimin e kesaj çështjeje. Kritika drejtohej rreth një tematike, për të cilën KQZ-ja nuk është kompetente, por ne nuk mund ta lëmë pa e evidentuar në këtë diskutim, sepse mendojmë se ka vend për ndërhyrje dhe trajtim nga ky nivel i lartë. Raporti thotë se autoritetet nuk morën masat e duhura për të siguruar pjesmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në procesin zgjedhor, si votues dhe kandidatë. Në dy të tretën e vëzhgimeve, qendrat e votimit nuk bënin të mundur aksesin e pavarur për personat me lëvizshmëri të kufizuar. Në 71% të vëzhgimeve, planimetria e qendrave të votimit nuk ishte e përshtatshme për votuesit me aftësi të kufizuara. Kjo mangësi u konsiderua në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë për garantimin e të drejtës së barabartë të votës për të gjithë zgjedhësit.

Kjo çështje kërkon që KQZ-ja të përpunojë udhëzime të reja për standardin e qendrave të votimit, por udhëzimet nuk kanë vlerë reale, nëse organet e qeverisjes vendore, apo institucionet arsimore nuk ndërgjegjësohen, nuk shfaqin më shumë vëmendje, nuk japin më shumë fonde, nuk organizohen më mirë.

Barazia gjinore

Sa i përket përfaqësimi gjinor në organet  e zgjedhura në nivel qendror dhe vendor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjithë përpjekjet për të zbatuar me efikasitet përcaktimet ligjore. Pavarësisht përmirësimit të përfaqësimit të ginisë femërore në këshillat bashkiak që erdhi nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vitin 2015, mbetet shqetësim vendosja fiktive e femrave në listat shumemërore të këshillave bashkiak nga partitë politike, dhe dorëheqja e tyre “en bloc”, me qëllim që mandatin e tyre ta marrin meshkujt.

Aktualisht në Parlament, pas modifikimeve të fundit të përbërjes së tij për shkak të dorëheqjeve masive nga opozita, nga 122 deputet, 35 janë femra.

Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, kandiduan për kryetar bashkie 97 kandidatë, nga të cilët 11 ishin femra, ndërsa për këshillat bashkiakë 9872 kandidatë, nga të cilët 4839 ishin femra.

KQZ-ja kontrolloi përputhshmërinë e listave për këshilltarë me kuotën gjinore dhe refuzoi regjistrimin e dy listave të kandidatëve të një subjekti në dy bashki. Kjo do të thotë, se ka një përpjekje serioze nga ana e subjekteve zgjedhore për përputhshmëri, e cila vjen në rritje nga një palë zgjedhje në tjetrën.

Gjithësesi, fenomeni i respektimit formal, ose fals të kuotës, nuk mund të thuhet se është çrrënjosur nga praktika e subjekteve politike, sa kohë që praktika politike nuk ka dhënë ende shembuj të qartë të respektimit të kontributeve dhe aftësive politike të pjesës femërore.

Në përfundim të zgjedhjeve, nga  61 kryetarët e zgjedhur të bashkive, 8 janë femra, dhe nga 1619 këshilltarët bashkiakë, 711 janë femra.

Sa i përket administratës zgjedhore, në këto zgjedhje përfaqësimi gjinor ishtë;

  1. Në Komisonet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ): 61.34% e anëtarësisë ishin burra, 38.66% gra
  2. Në Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV): 78 % e komisionerëve ishin burra dhe 22% gra.
  3. Në Grupet e Numërimit të Votave (GNV): 83% e numëruesve ishin burra dhe 17 % gra.

 Reforma zgjedhore

Të nderuar,

Raportimet nuk janë qëllim në vetvete. Ato bëhen që të përmirësojnë punën e t’i shërbejnë të ardhmes.

Ndaj KQZ, për të adresuar problematikat e evidentuara në raportin e Komisionit Europian por edhe të raporteve të OSBE-ODIHR, ka analizuar dhe evidentuar edhe me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë, hapat që duhet të ndërmerren për të përmirësuar organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar Ad-Hoc për reformën zgjedhore i themeluar në tetor 2017 mbajti një numër takimesh teknike, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR ende të pazgjidhura nga tre raundet e fundit të zgjedhjeve (2013, 2015 dhe 2017). Megjithatë, nuk u bë asnjë përparim për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Gjithsesi, në vitin 2018, KQZ iu drejtua Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore duke propozuar një paketë me rekomandime për të përmirësuar kornizën ligjore ekzistuese;

  • për të fuqizuar rolin mbikëqyrës dhe ligj-zbatues të KQZ-së dhe për të rritur transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike sipas praktikave më të mira ndërkombëtare,
  • harmonizimiin e ligjit 138/2015 me vendimin 17/2016 të Kuvendit, për dekriminalizimin,
  • ngritja e qendrës së trajnimit me qëllim bërjen e një administratë zgjedhore të vendosur, të fortë, serioze e profesionale,
  • vendosjen e kuotës gjinore 30% edhe për nivelin e tretë të administratës zgjedhore (KQV dhe GNV), e tjerë.

 Pavarësia, depolitizimi dhe profesionalizimi i administratës zgjedhore është kthyer në domosdoshmëri të përmirësimit të administrimit të procesit dhe garantimit të integritetit të zgjedhjeve.

Vetëm pak ditë më parë, datë 4 shtator u publikua raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet 2019, i cili përmban 20 rekomandime, një pjesë e të cilave adresojnë problematika të përsëritura edhe në zgjedhjet pararendëse.

KQZ ashtu si vitet e shkuara, do të mblidhet për të përcaktuar masat që duhet të marrë për zbatimin e rekomandimeve të cilat i adresohen institucionit të KQZ, ndërkohë që për rekomandimet që i referohen ndryshimeve ligjore të paadresuara dhe nga zgjedhjet e shkuara, KQZ i ka paraqitur Komisionit të Reformës Zgjedhore paketën me sugjerime dhe rekomandime, të cilat kam besim se do të merren në konsideratë.

Faleminderit!