E nderuar zj. Zineb Touimi Benjelloun,
I nderuar z. Weise,
Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari shpreh kënaqësinë që personalisht, sikundër edhe një pjesë e stafit të institucionit që unë drejtoj, jemi pjesë e këtij seminari që do të trajtojë një temë kaq të rëndësishme: zgjedhjet dhe çështjet gjinore!

Së dyti, dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe falenderimet për organizatorët e këtij aktiviteti, që i vinë në ndihmë KQZ-së, ashtu dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me çështjet e zgjedhjeve, për të mos “u dehur” nga sukseset e arritura, por të mbajnë, ashtu si deri më tani në fokus të punës së tyre, çështjet e barazisë gjinore!

Të gjithë ndajmë mendimin se ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, shënuan progresin më të madh të shoqërisë shqiptare me qasje, fuqizimin e rolit të gruas në jetën politike!
Sanksionimi me ligjin zgjedhor, që në listën e kandidatëve për këshillat e bashkisë, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm t’i përkasë seicilës gjini, shënon një arritje të madhe, por jo realizim të të gjithë asaj çka gratë shqiptare meritojnë dhe aspirojnë, dhe që shoqëria shqiptare e pranon si standart që duhet ta realizojë, për vetë vokacionin e saj europian!

Si grua, njëherazi edhe si drejtuese e institucionit të KQZ-së, pohoj me kënaqësi se gratë, që përbëjnë më shumë se gjysmën e elektoratit shqiptar, përballën me sukses sfidën e tyre të radhës: përfaqësimin 50% në kandidim për këshillat vendore!
Kjo padyshim është arritje e madhe, duke kthyer kokën pas për të parë angazhimit të gruas në jetën politike gjatë tranzicionit të këtyre 25 viteve demokraci.
Realiteti i viteve të para të kalimit nga komunizmi në demokraci u shoqërua pjesërisht nga një thirrje për rikthim në vlerat ‘tradicionale’ dhe uli në mënyrë radikale përfaqësimin e grave në organet e zgjedhura.
Miratimin e kuotës ligjore “Për barazinë në shoqëri”, në korrik të 2008, Kodin Zgjedhor në vijim, dhjetor 2008, mund t’i quaj gurët e parë kilometrikë ku pikënisin garancitë ligjore për arritjen e barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare.
Realiteti pas zbatimit të këtyre dy ligjeve, provoi, krahas progresit, edhe egzistencën e stereotipeve të forta gjinore, apo vullneteve politike vetëm të deklaruara, por në realitet të munguara, që cënuan garancitë që ligji synoi të japë, për trajtimin e barabartë të gjinive në përfaqësimin politik.
Meritën për përcaktimin e kuotës 50% për këshillat vendorë, modestisht dua ta evidentoj edhe si kontribut të KQZ-së, e cila, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, bëri bashkë mendimin, propozimet dhe aspiratat e të gjithë aktorëve të fushës, dhe më pas i dërgoi si propozime për ndryshime të Kodit Zgjedhor, në rast të një reforme zgjedhore.
Ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të marsit 2015, megjithëse ndryshime të karakterit teknik, prekën dhe përmirësuan ndjeshëm komponentin gjinor, sa i përket kandidimit në këshillat vendorë. Rezultatet janë të prekshme për zgjedhjet vendore 2015, konkretisht:
Në listat shumemërore të subjekteve zgjedhore kanë kandiduar për anëtarë këshilli gjithsej 36 251, nga të cilët 17 887 ose 49,34% janë femra, dhe 18 364 ose 50,66% janë meshkuj.
Për kryetar bashkie, 16 kandidatë ose 9.94% janë femra dhe 145 kandidatë ose 90.06 % janë meshkuj.

Shifrat e dyta tregojnë qartazi se sfida të tjera janë për tu përballur në të ardhmen, në mënyrë që barazia gjinore të jetë e plotë, për të gjithë organet e zgjedhura.
Dhe ky realitet dëshmon, sikundër dhe eksperiencat botërore, se për kuotat gjinore përderisa partive politike nuk nuk i kërkohet me sanksione të forta ligjore, respektimi i renditjes së alternuar të gjinive, ato nuk e bëjnë këtë vullnetarisht.
Kodi Zgjedhor i ardhshëm, sikundër tryeza teknike e KQZ ka dakortësuar, duhet të përcaktojë qartësisht edhe për zgjedhjet për Kuvend se “të paktën një në tre emra përgjatë gjithë listës shumemërore duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar”. Kjo është mënyra e duhur dhe mekanizmi i vetëm për të garantuar barazinë e përfaqësimit gjinor në të gjitha organet e zgjedhura.

Problem tjetër që duhet ta mbajmë në fokus, është fuqizimi i përfaqësimit gjinor në çdo nivel të administratës zgjedhore me qasje ravijëzimin e një procesi zgjedhor sensitiv për problemet gjinore dhe për të inkurajuar angazhimin e grave në proceset politike.
Kodi Zgjedhor, përcakton detyrimin për respektimin e kuotës gjinore 30% vetëm për komisionet e nivelit të dytë, dhe vetëm për dy partitë kryesore.
Me kënaqësi pohoj se të dy partitë kryesore për këto zgjedhje, e kanë tejkaluar këtë kuotë, përkatësisht duke propozuar 38% dhe 37% femra.
Pavarësisht këtij fakti, është domosdoshmëri që kuota gjinore të përcaktohet edhe për nivelin e tretë të administratës zgjedhore, ku statistikat e zgjedhjeve të vitit 2013, tregojnë se më shumë se gjysma e komisioneve të qendrave të votimit ka qënë pa përfaqësim të grave.
Personalisht, besoj se rritja e pjesëmarrjes së gruas në qeverisjen vendore, në parlament, në pushtetin ekzektutiv, institucione të tjera dhe administratën zgjedhore, ka influencë të madhe në ndryshimin e mentaliteteve, është mënyra më eficente për edukimin e brezave të rinj, pa paragjykime, me idetë e duhura për lirinë, barazinë gjinore dhe harmoninë mes gjinive, është rruga e duhur për të përballur sfidat gjinore në Shqipëri.
Me këtë synim, KQZ, sikundër deri tani, do të vazhdojë të ushtrojë të gjithë rolin e saj për të forcuar përpjekjet për ndërgjegjësimin shoqëror të të drejtave zgjedhore dhe politike të grave.

Ju faleminderit!