E nderuar zj. Zineb Touimi-Benjoelloun,

I nderuar z.Alaudin Malaj,

Të nderuar kolegë e pjesëmarrës,

Në rradhë të parë doja ta nisja fjalën me një falenderim të vecantë për UNDP organizatë e cila ka qenë gjithmonë pranë KQZ, jo vetëm në periudha zgjedhore por edhe jashtë saj me projekte mjaft të rendësishme e serioze dhe sigurisht me impakt mjaft pozitiv për proceset zgjedhore.

Seminari i sotem dhe pjesmarrja në të, e dy institucioneve KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, është domethënës dhe pjesë e një procesi i cili nuk nis këtu por vijon si një bashkëpunim i konsoliduar tashmë ndër vite, pjesë e së cilës ka qënë dhe UNDP.

Në kuadër të konkurrencës elektorale, krijimi i mosmarrëveshjeve , megjithëse i padëshirueshëm, është pothuajse i pashmangshëm, por është tejet e rendësishme që të krijohen mekanizmat zgjedhore efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo konflikteve. Këto mekanizma janë me rendësi jetike, sepse mosmarrëveshjet kanë potencial për të lëkundur integritetin e procesit zgjedhor por mund të çojnë deri në konflikte sociale që mund të jenë të hapura ose edhe të fshehta duke u mbartur në kohë.

Sipas doktrines ligjore-zgjedhore por edhe sipas parimeve në politikë, sistemi për “Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Zgjedhore” i referohet sistemit kompleks të ankesave, përmes të cilave çdo veprim ose procedurë zgjedhore mund të apelohet ligjërisht. Ankesat ligjore që lidhen me çeshtjet zgjedhore mund të paraqiten para agjensive/ institucioneve me natyrë politike ose para agjensive gjyqësore. Një sistem i tillë kompleks e ndërveprues ka për qëllim të sigurojë zgjedhje të rregullta dhe tërësisht në përputhje me bazën ligjore në fuqi.

Çdo parti politike, subjekt apo individ ka të drejtën të mbrohet nga ligji dhe të gjejë një zgjidhje për shkeljet e të drejtave politike me natyrë elektorale. Sidoqoftë procedurat e ankimimit duhet të jenë transparente dhe lehtësisht të kuptueshme. Ajo çfarë do të ndihmonte në zgjidhjen e konflikteve, në fakt është reflektimi për afate të shkurtra dhe një proces sa më i unifikuar apelimi, i cili mund të korrektojë humbjen e kohës dhe përpjekjeve të panevojshme nga të gjitha palët e përfshira.

Shkeljet e ndryshme në kontekstin zgjedhor, parregullsitë dhe shkeljet e Kodit janë në fokus të veçantë gjatë punës së KQZ-së, jo vetëm gjatë periudhës zgjedhore por edhe më tej. Ne përpiqemi dhe punojmë vazhdimisht që të korrektojmë, përmirsojmë e përforcojmë rolin rregullator të Institucionit. Në këtë kuadër , vlen për të përmendur se në frymën e Kodit Zgjedhor dhe në kontekstin e rolit të rëndësishëm stabilizues të KQZ-së, gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore të paraqitura, KQZ-ja shqyrton të gjithë problematikën e tyre, pa u kufizuar ekskluzivisht në objektin specifik të kërkesës ankimore të paraqitur nga subjekti zgjedhor.

Sidoqoftë, vërehet se ligji zgjedhor duhet të adresojë në paragrafët specifik në menyrëmë të detajuar kategoritë e parregullsive dhe shkeljeve së bashku me pasojat e tyre të mundshme për procesin zgjedhor.

Referencat e thjeshta për shkelje të ligjit apo të Kushtetutës përbëjnë element që duhet të shmangen.

Juridiksioni, por edhe efektiviteti, transparenca por edhe limitet kohore janë një shqetësim i madh në vendet ku gjykatat dhe komisionet zgjedhore ndajnë barren e zgjidhjen së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Në parim, dispozitat e paqarta ose të paplota në ligjin zgjedhor apo aktet e tjera normative mund të gjenerojnë konfuzion mbi juridiksionin e gjykatave dhe komisionit zgjedhor në lidhje me mosmarrëveshjet zgjedhore. Kjo dinamike komplekse ofron mundësinë dhe hapsirën për “forume” që diskutojnë e synojnë përmirsimin e situatës, duke eleminuar pengesa dhe vonesa në procesin e instalimit të një sistemi efikas të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Është e qartë se rëndësia dhe rezultati i punës tonë si Institucion, vlerësohet dhe ka impakt të drejtpërdrejtë tek publiku. Sistemi i zgjidhjes së konflikteve elektorale në demokracinë moderne, është thelbësor për ndërtimin e një sistemi politik të qëndrueshëm në vend dhe ne synojmë të rrisim rolin rregullator e stabilizues hap pas hapi.