Tiranë, më 31.01.2013

Fjala e Kryetares së KQZ-së, Zj. Lefterije Luzi (Leshi) në aktivitetin “E drejta zgjedhore për zgjedhësit me aftësi të kufizuar”

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Lleshi dhe anëtarja znj. Albana Shtylla ditën e sotme kanë marrë pjesë në aktivitetin me temë, “ E drejta Zgjedhore për Zgjedhësit me aftësi të Kufizuara”.

Mesazhi përshendetës i Znj. Lleshi në këtë aktivitet është;

Përshëndetje!
Znj. Çani

Znj. Laçi

Znj. Baraku

Përshëndetje të gjithë të pranishmëve!
Zonja dhe Zotërinj më lejoni t’ju them që është kënaqësi për mua të jem këtu, kjo edhe në vijimësi të bashkëpunimit të mirë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka patur me fondacionin tuaj.
KQZ është angazhuar brenda kufijve të ligjit dhe ka realizuar projekte të cilat kanë mundësuar krijimin e kushteve dhe lehtësimin e vështërsive për zgjedhësit paraplegjik dhe tetraplegjik për ushtrimin e të drejtës së votës.
Fryt i këtij angazhimi serioz janë edhe marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuar në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e 2005, 2007, 2009, 2011.
Dhe sigurisht bashkëpunimi jo vetëm do të vijojë por ai do të konsolidohet më tej edhe me risi të cilat sigurisht mbeten për tu përpunuar dhe diskutuar me grupet e interesit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe në zgjedhjet e 2013, përmes strategjive të tij (trajnimeve dhe edukimit), do të harmonizojë programe me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

KQZ, si institucioni më i lartë i zgjedhjeve është kujdesur që personave me aftësi të kufizuara t’u krijohet mundësia të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë, si një e drejtë e tyre themelore dhe e mbrojtur me ligj.
Përmirësimet e Kodit Zgjedhor kanë përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhësit me aftësi të kufizuara, duke synuar krijimin e lehtësirave për këta zgjedhës që të mund të votojnë në mënyrë të barabartë, të drejtpërdrejtë e tëfshehtë, si të gjithë zgjedhësit e tjerë.
Ecuria e proceseve zgjedhore në Shqipëri është shoqëruar vazhdimisht me përpjekjet e grupeve të aftësisë së kufizuara për të mundësuar pjesëmarrje në proceset zgjedhore të zgjedhësve me aftësi të kufizuara dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pjesë e këtyre përpjekjeve.
Ligji shqiptar si kudo në botë i sheh zgjedhësit si të barabartë, për këtë arsye askush nuk duhet të përjashtohet nga procesi zgjedhor.
Ligji e ngarkon KQZ-në me detyrën për t’i ofruar mundësi të barabarta të gjithë zgjedhësve, në ushtrimin e të drejtës së tyre të zgjedhjes.
E drejta e votës është një e drejtë universale dhe Ju siguroj se ne si Komision jemi të angazhuar maksimalisht në përmbushjen e kësaj të drejte për qytetarët shqiptar duke mos përjashtuar as zgjedhësit me aftësi të kufizuara – të verbër, me probleme të lëvizjes, të komunikimit, atyre të shtruar përkohësisht në qendra spitalore dhe me pamundësi për të lëvizur nga shtëpia.
Për këtë arsye KQZ ka parashikuar në buxhetin e zgjedhjeve për Kuvendin:
– Blerjen e mjeteve të posaçme (maskave) të cilat do të përdoren për të lexuar fletën e votimit nga zgjedhësit e verbër.

– Blerja e pajisjeve të posaçme (pedanave) që do të mundësojnë hyrjen e lirë të përsonave të paralizuar në çdo qendër votimi.

Natyrisht do të ketë edhe trajnime për personat me aftësi të kufizuara që mund të jenë komisionerë, si dhe për komisionerët e qendrave të votimit.
Gjithashtu do të ketë edhe fushatë sensibilizuese, që zgjedhësit me aftësi të kufizuara të lexojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur.
Domosdoshmëria e krijimit të një mjedisi të përshtatur në qendrat e votimit, diktoi nevojën e hartimit të standardeve të përshtatshmërisë për qendrat e votimit, si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në pjesmarrjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në një votim të barabartë, të fshehtë dhe të drejtëpërdrejtë.

KQZ, në datë 12.12.2012 ka miratuar Udhëzimin Nr.01, ku përcaktohen qartë, “Rregullat për mënyrën e ngritjes dhe caktimit të vendodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së qeverisjes vendore për zgjedhjet”.
Ky Udhëzim do të nxisë më tej njësitë e qeverisjes vendore për të marrë masa për vendosjen e të gjitha qendrave të votimit në katet përdhe të ndërtesave, si edhe në prodhimin e shpërndarjen e mjetëve të posaçme për të verbërit dhe dhomat e fshehta të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.Aktualisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë ardhur 5 kërkesa për marrëveshje bashkëpunimi nga; – Këshillit Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar,- Shoqata e të Verbërve Shqiptar dhe – Shoqata Shqiptare e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar Këto kërkesa po shqyrtohen nga ana jonë dhe në ditët në vijim kemi besimin se do të konkludohen me sukses.Në mënyrë që bashkëpunimi të jetë në përputhje me procedurat dhe afatet e parashikuara në ligj të sigurohet pajisja e qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi për këtë kategori zgjedhësish dhe të garantohet e drejta e tyre për të votuar, Ju lutemi të dërgoni sa më shpejt, të listuar numrin e zgjedhësve, që për arsye fizike nuk mund të votojnë vetë. Lista të dërgohet e detajuar sipas llojit të paaftësisë fizike për secilin zgjedhës. KQZ është e angazhuar maksimalisht për të plotësimin e bazës materiale zgjedhore dhe mjeteve të posaçme që në zgjedhjet e 23 qershorit, të gjithë personat me aftësi të kufizuar të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës.

Ju faleminderit!

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE