Dita Botërore e Zgjedhjeve
Denar Biba-studentëve: Votoni mençurisht në 18 qershor.

Sot, në Ditën Botërore të Zgjedhjeve, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Denar Biba mbajti një leksion të hapur për studentët e Universitetit të Mjekësisë.
Të pranishëm ishin Rektori Prof. Arben Gjata, dekanë dhe pedagogë, të cilët shprehën falenderime për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili i zgjodhi për celebrimin e Ditës Botërore të Zgjedhjeve këtë universitet.
Duke shprehur kënaqësinë që ndodhej mes “shëruesve” të nesërm, Kryetari Biba tha se Dita Botërore e Zgjedhjeve celebrohet nga KQZ, për të rritur vetëdijen qytetare mbi rëndësinë e zgjedhjeve demokratike.
Duke cituar thënien e Platonit “ Qytetari mund të vdesë edhe pse njeriu vazhdon të jetojë”, zoti Biba ju tha studentëve se ata duhet të mbajnë gjallë ndjenjën e qytetarisë, duke u bërë pjesë e proceseve të rëndësishme vendimmarëse, siç janë zgjedhjet, pasi qytetarët e vetëdijshëm bëhen pjesë e fateve të vendit.
Kryetari i KQZ-së i’u përgjigj interesit të studentëve për çështje të ndryshme lidhur me administrimin e zgjedhjeve në vendin tonë. I pyetur mbi aspektet teknologjike, ai tha:
“Në asnjë lloje rrethane teknologjia nuk është e keqe, por është e brishtë për vende me nivel të caktuar social-kulturor, sikundër është vendi ynë. Ndërkohë, lidhur me shit-blerjen e votës, mund të them se si episod ekziston edhe në vende me demokraci të zhvilluara, dhe vetëdija qytetare e zgjedhësve e parandalon atë”.

Kryetari i KQZ-së, z. Biba ju bëri apel studentëve që të votojnë mençurisht në zgjedhjet e 18 qershorit.

Pjesë e agjendës së KQZ-së për celebrimin e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ishin edhe vizitat në ambjentet e institucionit, e maturantëve të shkollave të mesme “Asim Vokshi”, “Petro Nini Luarasi” dhe “Ismail Qemali”, votues për herë të parë, të cilët bashkëbiseduan për rëndësinë e votës me Anëtarët e KQZ-së.