Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-se, Drilona Hoxhaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bën me dije se sot përfundoi procesi i numërimit të votave për kryetar dhe për këshilltar në rang vendi, pra, ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Malsinë e Madhe në KZAZ-në nr. 1, numërim i cili me vendimin nr. 751 që KQZ mori një natë më parë, u krye në Shkollën 1 maji këtu në Tiranë.
Pavarësisht zvarritjes së numërimit të votave nga KZAZ nr. 1, në Malsinë e Madhe, procesi i numërimit të votave krahasuar më zgjedhjet e kaluara është përmbyllur në një kohë më të shkurtër.
Në këto zgjedhje pavarësisht se ishin dy kuti votimi dhe numërimi i votave u bë për kryetar të bashkive dhe për anëtarë të këshillave bashkiakë, procesi i numërimit u bë brenda 4 ditëve, ndërkohë në vitin 2013, që ishte vetëm një kuti votimit (pra 1 fletë votimi për tu numëruar), procesi i numërimit u mbyll brenda 7 ditësh, ndërsa në vitin 2011 procesi i numërimit ka zgjatur 14 ditë.
Falë ndërhyrjes së KQZ-së me vendimarje për zgjidhjen e situatave të krijuara në disa VNV dhe bashkëpunimit me forcat politike për vazhdimin e procesit të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë, u bë e mundur numërimi i të gjitha kutive të votimit me një ritëm më të shpejtë se në zgjedhjet e kaluara.

Në zgjedhjet vendore të datës 21 Qershor 2015 morën pjesë në votime 1.606.231 zgjedhës, pra 47.63 % ndërsa në zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2013, morën pjesë në votime 1.749.278 zgjedhës, pra 53.46%, dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 morën pjesë në votime 1.618.360 zgjedhës pra 51.10%.
Me inisiativë të KQZ ndryshimet e Kodit Zgjedhor të këtij viti bënë të mundur që në ditën e zgjedhjeve të kishim një identifikim të votuesve femra dhe nga të dhënat e hedhura në sistemin e transmetimit të të dhënave në KQZ, nga 1.606.231 zgjedhës që ushtruan të drejtën e votës, 45.02% ishin votuese femra.
Aktualisht, është në përfundim dorëzimi i dokumentacionit zgjedhor, si dhe dorëzimi i kutive të votimit dhe materiale zgjedhore nga të gjitha KZAZ-të dhe po administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Gjithashtu, ka filluar procesi i relatimit dhe shqyrtimit të kërkesave ankimore të paraqitura nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e 21 qershorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon intensivisht për të bërë të mundur miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultateve, për 10 bashkitë të cilat janë administruar nga më shumë se një Komision i Zonës së Administrimit Zgjedhor.
Tashmë qytetarët janë njohur me rezultatin paraprak i cili është shfaqur edhe në faqen zyrtare të të dhënave dhe monitorët e instaluar në KQZ dhe dorëzimi i tabelave origjinale të rezultateve të grupeve të numërimit të shoqëruara këto nga tabelat përmbledhëse të rezultateve të KZAZ-ve përkatëse, do të bejë që rezultati paraprak të saktësohet edhe në sistemin online të të dhënave të hedhura nga operatorët e KQZ-së.