Rritet transparenca gjatë numërimit të votave.
Tabela e rezultatit për çdo QV do të publikohet brenda Vendit të Numërimit të Votave. 

Çdo vëzghues i huaj apo vendas i akredituar nga KQZ, do të ketë mundësinë të njihet me rezultatet e çdo subjekti politik gjatë procesit të numërimit të votave.
Në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 qershor 2017, një kopje e tabelës së rezultatit të çdo qendre votimi, do të afishohet në një vend të përshtatshëm brenda Vendit të Numërimit të Votave për t’u parë nga të gjithë vëzguesit e akredituar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim rritjen e transparencës gjatë procesit të numërimit të votave dhe në përmbushje të rekomandimit të OSBE/ODIHR-it në raportin përfundimtar për zgjedhjet 2015, si edhe kërkesave të vazhdueshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë të akredituar nga KQZ, vendosi të shtojë një nen në udhëzimin nr. 5 të datës 22.04.2015, për t’i dhënë mundësinë të gjithë vëzhguesve të akredituar që ndjekin procesin e numërimit të votave, të njihen me rezultatet e çdo qendre votimi për çdo parti politike.
Komisioni i Zonës së Adminsitrimit Zgjedhor do të marrë masat për të afishuar në një vend të përshtatshëm për tu parë nga të gjithë vëzhguesit e akredituar, kopje të tabelës së rezultatit të qendrës së votimit, dhe kopje të tabelës përmbledhëse të rezultatit, të vulosura nga sekretari i KZAZ-së me vulën e KZAZ-së.
Afishimi i tabelës së rezultateve  u miratua në mbledhjen e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili vendosi të shtojë një nen në udhëzimin nr. 5, të datës 2015, “Për organizimin e punës në vendin e numërimit të votave, radhën e veprimeve gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor”.