Deklaratë e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve informon se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëve të votimit për zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Dibrës, për 118 qendrat e votimit.
Rezultatet paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, rezultate të cilat u shfaqen edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, duke sjellë informim të saktë dhe korrekt të opinionit publik.
Theksojmë se Tabela Përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve të ZAZ nr. 19, Dibër, për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Dibër, miratohet dhe shpallet me vendim nga KZAZ-ja nr. 19.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se procesi i votimit dhe ai i numërimit të fletëve të votimit, u zhvillua i qetë dhe korrekt, komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor.
KQZ është në pritje të marrjes në dorëzim nga KZAZ-ja 19, të çdo materiali zgjedhore (kuti votimi, kuti të materialeve zgjedhore, vulat, e të tjerë), të çdo dokumentacioni zgjedhor të administruar nga KZAZ-ja 19, veçanërisht Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve në këtë bashki si dhe tabelat origjinale të rezultateve të votimit të çdo Qendre Votimi.
Së fundi, në zbatim te detyrimeve ligjore, pas përfundimit te afatit kohor të ankimit në KQZ të vendimit të KZAZ nr.19, e cila është jo me vonë së 5 ditë nga shpallja e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhese të Rezultatit të Zonës Zgjedhore Bashkia Dibër, KQZ në zbatim të nenit 2, pika 18, germa b, të Kodit Zgjedhor, shpall rezultatin përfundimtar të votimit për kandidatin për kryetar të Bashkisë Dibër.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve falenderon komisionerët e niveleve të dytë dhe të tretë për administrimin korrekt të procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve dhe procesit të numërimit ditën e sotme.
Gjithashtu, një falenderim shkon edhe për mediat të cilat pasqyruan me profesionalizëm ecurinë e procesit zgjedhor në të gjitha fazat e zhvillimit të tij.